Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka kërkuar që së pari të votohet buxheti për vitin 2021, pastaj të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se bllokada buxhetore do të prodhojë situatë të bllokadës së pagesave për sektorin publik nga muaji mars 2021, ku sipas tij, do të pësonte jo vetëm sektori publik, por gjithsesi edhe sektori privat dhe tërë sistemi ekonomik në mungesë të financave publike.
Krasniqi thotë se në gjendjen aktuale do të krijoheshin probleme të mëdha edhe në menaxhimin e pandemisë COVID -19.
“Praktikat e deritanishme të zgjedhjeve kanë treguar se mund të kemi vonesa në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë, po që se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mbahen në fillim të vitit 2021. Kjo për faktin se ka shumë gjasa që vendi të mbetet pa këto Institucione në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe si kanë treguar zgjedhjet e fundit këto vonesa mund të marrin edhe disa muaj shtesë përtej tremujorit të parë të vitit 2021”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se duke parë këtë situate, legjislatura aktuale do të duhej së pari të aprovon buxhetin për vitin 2021 i cili dokument është në Kuvend, të ndajë mjetet për zgjedhjet e përgjithshme dhe pastaj të shkohet në zgjedhje në një datë të pranueshme për subjektet politike.
“Qeveria e re dhe Kuvendi i ri posa të konstituohen kanë mundësin në një afat që mendojnë se është i arsyeshëm të përgatisin dhe të plotësojnë-ndryshojnë ligjin e miratuar të buxhetit përmes procesit të rishikimit të buxhetit për të zbatuar programin e tyre qeverisës”, ka shkruar tutje ai.
Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, nenit 24 Ndarjet buxhetore në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore do të vlenin vetëm për dy muajt e parë të vitit 2021 nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e kuvendit janë mbajtur më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal duke siguruar një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore nga Ligji i Ndarjeve Buxhetore të vitit 2020.
Krasniqi ka thënë se pas kësaj periudhe vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars.
Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal. /Telegrafi/