Site icon Telegrafi

Krasniqi: Sulmet në SHBA goditën të gjitha shtetet që besojnë në vlera të demokracisë e qytetërimit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në 20 vjetorin e sulmeve në SHBA tha se akti terrorist nuk goditi vetëm SHBA-të, por edhe mbarë popujt e shtetet që besojnë në vlera të demokracisë, lirisë e qytetërimit.

Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se ngjashëm siç SHBA-të që ishin pranë nesh në ditët tona më të vështira, populli ynë e ndau këtë dhimbje me popullin amerikan.

Lexoni të plotë postimin:

“20 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u goditën nga sulmet terroriste më brutale në historinë e njerëzimit, të cilat lanë mijëra viktima civile e të pafajshme, si dhe qindra zjarrfikës e shërbyes publik që u përpoqën deri në çastet e fundit të jetës për shpëtimin e tyre.

Ky akt terrorist nuk goditi vetëm SHBA-të, por mbarë popujt e shtetet që besojnë në vlera të demokracisë, lirisë e qytetërimit. Ngjashëm, siç edhe ndërgjegjësoi mbarë botën demokratike për urrejtjen dhe mizorinë e terrorizmit, ndaj të cilit, kundërvënia nuk qe më alternativë, por domosdoshmëri.

Në 20 vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike për kombin dhe shtetin amerikan, kujtojmë me nderim të gjithë qytetarët që humbën jetën nga këto sulme. Viktimat ishin të 70 kombësive të ndryshme dhe në mesin e tyre kishte edhe 4 bashkëkombas shqiptarë, çka dëshmon se terrorizmi është kërcënim global për të gjithë popujt pa dallim.

Kjo ditë që ndryshoi jetën e Amerikës por edhe mbarë botës, do të mbahet mend përgjithmonë, si ditë kur terrori fiku mijëra jetë të pafajshme, për t’i ngjallur miliarda jetë tjera kundër tij, deri në fitore.

Ngjashëm siç SHBA-të që ishin pranë nesh në ditët tona më të vështira, populli ynë e ndau këtë dhimbje me popullin amerikan.

Jemi krenarë që Kosova është rreshtuar në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit të drejtuar nga SHBA-të. Partia Demokratike e Kosovës do të punojë si gjithmonë fuqishëm që lidhja jonë me SHBA-të dhe popullin amerikan të forcohet edhe më tutje, që së bashku të punojmë për përhapjen e demokracisë dhe forcimin e sigurisë e paqes në botë”. /Telegrafi/

Exit mobile version