Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka folur pas seancës së Kuvendit të Kosovës ku ishte paraparë shqyrtimi i ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet.
Ai tha se është dëshmuar se Albin Kurti ka mendësi totalitare.
“Keni qenë të gjitha dëshmitarë se Albin Kurti kërkon pushtet absolut për të shkelur institucionet e vendit. Sonte e parandaluam Albin Kurtin që në mënyrën më të paskrupullt të kontrabandojë ligjin për zgjedhje. Ky ligj do gjithëpërfshirje të ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë. Sot u tentua që krejt ky proces të kontrabandohet brenda disa orëve duke bërë shantazh”.
Krasniqi tha se PDK-ja nuk do të shantazhohet dhe nënshtrohet asnjëherë nga kjo qeveri.
“I falënderoj të gjithë ata që kanë reaguar sot gjatë ditës. Falënderoj shoqërinë civile për reagimet e tyre. Ju siguroj se ne do ballafaqohemi me situata të tilla edhe ne të ardhmen. Ne si PDK asnjëherë nuk do shantazhohemi e nënshtrohemi nga kjo qeveri. Për mendësinë e Kurtit nuk çuditem asnjëherë. Albin Kurti le të shtrëngohet si kryeministër. Mos të ka frikë nga përgjegjësia”, tha Krasniqi.