Telegrafi

Krasniqi: Situata me COVID-19 po shkon duke u rënduar, nga 780 pacientë të shtrirë, 36 janë në gjendje kritike

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se gjendja me COVID-19, dita ditës është duke u rënduar dhe se po rriten kërkesat për hospitalizim.

Ai tha se janë 36 pacientë në gjendje kritike, nga 780 sa janë gjithsej duke u trajtuar nëpër spitalet rajonale dhe QKUK.

“Situata me COVID-19 është duke u rënduar nga dita në ditë, ne po shohim për çdo ditë numër më të madh që po kërkojnë hospitalizim. Janë 780 pacient janë të shtrirë në të gjitha spitalet e vendit, 36 në gjendje kritike, mbi 500 pacient janë me oksigjen të vazhdueshëm”, tha Krasniqi.

Po ashtu, Krasniqi njoftoi se është marrë vendim që të kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të zgjerohen kapacitetet e SHSKUK-së për hospitalizimin e pacientëve me coronavirus.

“Se si SHSKUK, kemi bërë tash e një kohë të gjatë kapacitetet tona, dje është vendosur që do të dërgojmë një shkresë Qeverisë në mënyrë që të shikojë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve”, tha Krasniqi para medieve. /Telegrafi/