Telegrafi

Krasniqi: Shqetësuese qëndrimi i LDK-së ndaj Demarkacionit

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se PDK-ja do ta votojë unanimisht marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

“E rikonfirmuam sërish qëndrimin tonë për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, do ta votojmë nesër në seancë këtë marrëveshje”, ka thënë Krasniqi, duke theksuar se shpreson që votimi të kryhet nesër.

Mirëpo Krasniqi ka thënë se shqetësuese mbetet qëndrimi i LDK-së sa i përket Demarkacionit, raporton Telegrafi.

“Shqetësues mbetet qëndrimi i LDK-së në Komisionin për Punë të Jashtme ku do të duhej të votohej dhe rekomandohej për votimi projektligji i Demarkacionit, ku përfaqësuesit e LDK-së nuk kanë votuar fare, pra nuk kanë marrë pjesë në votim, dhe ne nuk dimë se si ta kuptojmë këtë a është ndryshim i qëndrimit apo vetëm një veprim politik”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se shpresojnë që LDK-ja do të jetë konsistente pavarësisht pozicionit të tyre opozitar, pasi që sipas Krasniqit interesat e qytetarëve janë më të rëndësishme se sa akrobacionet politike që mund t’i bëjë cilado parti./Telegrafi/