Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur mbështetjen e plotë për strehimin në Kosovë të shtetasve afganë, në emrin e tij dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se “mikpritjen dhe ndihmën ndaj të huajve që janë në vështirësi ne e kemi traditë kombëtare dhe obligim moral, si një popull që ka vuajtur shumë e që kemi përfituar prej ndihmës së ardhur nga jashtë”.
Postimi i plotë i Krasniqit:
“Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim, shpreh mbështetjen e plotë për strehimin në Kosovë të shtetasve afganë që kanë punuar me strukturat e qeverisë amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Jo vetëm si kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që është një mundësi për të shprehur mirënjohjen tonë ndaj aleatëve tanë amerikanë për gjithë atë që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë për ne, por mikpritjen dhe ndihmën ndaj të huajve që janë në vështirësi ne e kemi traditë kombëtare dhe obligim moral, si një popull që ka vuajtur shumë e që kemi përfituar prej ndihmës së ardhur nga jashtë.
Pranimi i këtyre refugjatëve të luftës është një dëshmi se Kosova nuk është vetëm konsumatore ndihme, por është e gatshme që me të gjitha mundësitë e saj të japë kontributin që i takon në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/