Në fakt, RTV 21 pas telasheve të fundit me shtabin teknik dhe pas largimit të Adin Adinoviçit, nuk priti shumë, pasi nuk kishte as dilema rreth trajnerit të ri, por vetëm pritej përgjigja e Krasniqit, të cilin nuk është lehtë ta angazhosh dhe shumë njohës të lojës magjike ende nuk e kanë të qartë se si nuk është pjesë e Sigal Prishtinës në garat ndërkombëtare.
Nuk e ka zakon të dalë në medie dhe nuk dëshiron të flasë shumë për kohën që ishte jashtë bankinave të ndonjë skuadre të basketbollit, edhe pse nuk është ndarë nga kjo lojë dhe e ka të qartë se si po rrjedhin gjërat në basketbollin kosovar.
“Pandërprerë kam pasur shumë oferta, por vendosa për skuadrën RTV 21, duke e ditur se është klub i ri, i organizuar mjaft mirë, ku kushtet për punë janë të mira, por edhe oferta financiare ishte e volitshme. Natyrisht se edhe raportet e mira me TV 21 e kanë bërë të veten, pasi ishte sponsor media i Sigal Prishtinës pothuajse për 10 vjet dhe është pjesë e sukseseve të mia. Kjo ka bërë që bisedat me drejtuesit e klubit të mos zgjasin shumë, dhe mund të them se shumë shpejtë u morëm vesh për fillimin e një bashkëpunimi shpresoj të suksesshëm”, thotë në fillim të bisedës Krasniqi, i cili për trajner ndihmës ka emëruar Andin Rashicën.
Skuadra e re nuk e ka nisur edicionin e ri ashtu siç është pritur, të paktën jo si në edicionin e kaluar kur ishte befasi e këndshme. Kjo megjithatë nuk i lë përshtypje të madhe trajnerit të ri.
“I kam përcjellë dy ndeshje kampionale të RTV 21dhe kam vërejtur se lojtarët vendorë janë të rinj, me potencial, por që u duhet punë më e madhe, kohë dhe natyrisht durim. Sa u përket basketbollistëve të huaj, unë nuk i kam sjellë ata, por nëse e meritojnë do të mbeten në skuadër. Unë nuk do të ngutem në këtë aspekt. Kuptohet se kur skuadra merret para fillimit të edicionit është më lehtë, por tani jemi në situatë të tillë dhe duhet vazhduar me mundësitë që kemi. Rezultatet në fund të garave janë më të rëndësishme”, shprehet ish-trajneri i Sigal Prishtinës, duke thënë se “ambiciet me RTV 21 janë që të renditemi në play-off dhe në përfundimtare të garave të Kupës edhe pse e kam të qartë për vështirësitë që na presin. Natyrisht do të mundohemi që lojtarët e rinj të kaliten më shumë dhe të marrin përvojë edhe për ndeshje më të vështira”.
Krasniqi e ka të qartë se kur është në pyetje cilësia, Sigal Prishtina dhe Peja e bëjnë dallimin në basketbollin kosovar.
“Nuk ka dyshim se për basketbollin e Kosovës është mirë që këto skuadra janë pjesë e Ligës Ballkanike. Buxheti i tyre është shumë më i madh se i skuadrave tjera dhe ato mund ta përballojnë tregun e basketbollit, të cilin unë e njoh mjaft mirë. Në këtë drejtim, mund të them se Sigali ka basketbollistët e huaj shumë cilësor. Sa i përket ligës tonë, është lajm i keq nëse Besa e Drita tërhiqen nga garat dhe kjo tregon se ne duhet të orientohemi më shumë në punën me gjeneratat e reja. E them këtë si përzgjedhës, por edhe si kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës. Nëse ne pranohemi në FIBA ne duhet patjetër të kemi edhe basketbollistë të rinj, por edhe kushte adekuate për gara të tilla”, shprehet Krasniqi, trajneri më i suksesshëm në basketbollin kosovar. /Zëri/Telegrafi/