Telegrafi

Krasniqi i reagon Sveçles: Nuk kam bërë thirrje për protesta, nuk qeveriset me gënjeshtra

Publicisti Milazim Krasniqi ka reaguar pas deklaratës së ushtruesit të detyrës të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla i cili tha se Krasniqi qëndron prapa thirrjeve për organizimin e një proteste, shkaku i mos hapjes së xhamive.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është një gënjeshtër dhe është e pakuptueshme dhe e turpshme sesi gënjen një zyrtar i lartë i qeverisë.

Lexo po ashtu Sveçla: Po nxiten protesta kundër vendimit të MSH-së në dakordim me BIK-un, pas qëndron Milazim Krasniqi

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Deklarata e Xhelal Sfeqles se gjoja unë qëndroj pas ndonjë thirrjeje për të falë namaz në shesh është qind për qind gënjeshtër. Është e pakuptueshme dhe e turpshme që të gënjejë në këtë mënyrë një zyrtar i lartë i qeverisë. Asnjë thirrje të tillë, asnjë organizim të tillë nuk kam ftuar, as nxitur asnjëherë. Unë kam shprehur qëndrim publik se duhet të hapen xhamitë, me kujdes e me zbatim të rregullave, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut. Ndaj qëndrimit tim BIK ka reaguar me një deklaratë nervoze dhe poashtu të pakuptimtë. Tash qenkan bërë bashkë myftiu Tërnava e Xhelal Sfeqla, në një fushatë e ndjekje të përbashkat e të pandershme. Nuk u bën nder kjo gjë, as njërit, as tjetrit. Edhe nuk mund të më frikësojnë. Ministri Sfeqla dhe qeveria duhet të gjejnë zgjidhje për problemet e rënda ekonomike, shëndëtësore, sociale e gjithfarë që po e rrënojnë vendin e shoqërinë e të mos përhapin dezinformata e gënjeshtra të tilla si kjo e Xhelal Sfeqlës. Thjesht, nuk qeveriset me gënjeshtra. Dështimet e qeverisjes së Kurtie Sfeqles nuk mund të mbulohen me fushata kundër njerëzve të ndershem. Përkundrazi ato dështime vetëm sa bëhen edhe më të tejdukshme. /Telegrafi/