Site icon Telegrafi

Krasniqi: Qytetarët të ndjehen të sigurt për ta marrë vaksinën, por masat duhet të respektohen ende se situata është e rëndë

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të ndjehen të sigurt për ta marrë vaksinën, teksa bëri thirrje që të respektohen masat antiCOVID, derisa të bëhet vaksinimi i një numri të madh të popullatës.

Krasniqi u shpreh se gjendja nëpër spitalet e Kosovës është e rëndë, dhe luti të gjithë që të kenë durim derisa të bëhet vaksinimi.

“Unë kam një mesazh të qartë, që virusi është ende mes nesh, dhe derisa të arrihet një masë e madhe e vaksinimit, na duhet tu përmbahemi masave të marra antiCOVID. Kjo do të marrë kohë, por i lus qytetarët që të kenë durim edhe pak. Vaksina është e sigurt dhe të gjithë qytetarët duhet të ndjehen të sigurt për të marrë këtë vaksinë. Derisa të bëhet imunizimi ju lutem të respektoni masat”, tha Krasniqi.

Ai bëri të ditur se 37 pacientë janë në gjendje kritike të shtrirë nëpër spitalet e Kosovës.

“Jemi në situatë të rëndë epidemiologjike, mbi 900 pacientë janë të shtrirë duke u trajtuar nëpër repartet e pacientëve me COVID. Prej tyre 37 janë në gjendje kritike, ndërkaq rreth 700 me oksigjen”, tha Krasniqi para medieve.

Sa i përket vaksinimit të tij, Krasniqi u shpreh se do të vaksinohet pasi të jenë vaksinuar kolegët e tij që janë në vijën e parë të frontit.

“Po do të vaksinohem edhe unë, jo domosdo sot sepse fillimisht do të shoh sa të vaksinohen kolegët e mi që janë në vijën e parë të frontit, pasi unë tashmë jam në administratë”, tha Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version