Site icon Telegrafi

Krasniqi: Qoftë viti 2024 testament për përkushtimin tonë në ndërtimin e një Kosove më të begatë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes një videoadresimi u ka uruar qytetarëve më shumë lumturi, prosperitet e perspektivë në Vitin e Ri 2024.

Kreu i PDK-së ka uruar që në vitin 2024 të ketë vende të reja pune, mbështetje për sipërmarrësit, kushte më të mira për policët, mjekët, mësuesit, rritje të mirëqenies sociale për kategoritë në nevojë.

“Ju uroj të gjithëve një Vit të Ri të mbushur me shpresë, gëzim dhe mundësi të pakufishme. Qoftë ky vit një testament për shpirtin tonë të palëkundur dhe përkushtimin tonë për ndërtimin e një Kosove më të ndritshme dhe më të begatë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka deklaruar se ky vit u përcoll me ekonomi të rënduar, sanksione nga BE, drejtësi të mohuar, demokraci të lënduar, shëndetësi e arsimi të degraduar dhe shuarje të diplomacisë.

“Të gjitha, fatkeqësisht, ishin në regres. Vetëm arroganca e papërgjegjësia në qeverisje shënuan progres. Kjo nuk është Kosova që e meritojmë. Kjo nuk është Kosova që e duam. Kjo nuk është Kosova për të cilën kemi punuar e sakrifikuar”, theksoi Krasniqi.

“Kosova është krenari e përhershme. Në kohë edhe më të vështira kemi dalë fitimtarë, më të fortë dhe më të bashkuar, të shtyrë nga pasioni dhe dashuria e palëkundur që ndajmë për atdheun tonë të dashur”, është shprehur Krasniqi./Telegrafi/

Exit mobile version