Telegrafi

​Krasniqi: Qeveria merr vendim për ujin në kafiteri, por nuk i siguron ujë të pijes shumë zonave në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar Komunën e Drenasit.

Krasniqi ka thënë se Qeveri nuk është duke u ndihmuar qytetarëve që të kenë furnizim me ujë të pijshëm në Drenas.

Gjatë kësaj vizite,  ai vizitoi disa projekte të cilat janë në zhvillim e sipër në Komunën e Drenasit me buxhet vetanak të Komunës.

Në Drenas, kryetari Krasniqi ka thënë se është jashtëzakonisht i lumtur me punën, angazhimin dhe performancën e kryetarit Lladrovci dhe ekipit të tij, diçka që tashmë është njohur dhe vlerësuar radhazi si më e mira.

“Në vazhdën e vizitave të mija nëpër komunat e Kosovës, sot kisha kënaqësinë që të vizitoj Drenasin. Së bashku me Kryetarin Lladrovci kishim takime dhe diskutime të shumta, por edhe vizita të projekteve të cilat tashmë janë duke u zbatuar. E përgëzoj Kryetarin Lladrovci dhe ekipin e tij për këto projekte, përkundër sfidave që i kanë. Posaçërisht nga mungesa e mbështetjes nga Qeveria qendrore”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i PDK-së tha se të gjitha këto punime të cilat i kanë vizituar, janë punime që janë bërë me buxhetin e komunës dhe me grantin e performancës së mirë që është fituar nga kryetari Lladrovci në të kaluarën dhe tash.

Sipas kryetarit Memli Krasniqi, ky është problemi që evidentohet në çdo komunë, çdo ditë, në secilën vizitë.

“Është e domosdoshme që të ndryshojë qasja e kësaj Qeverie karshi komunave të Kosovës, sepse ato janë dera e parë e qytetarëve tanë. Për të përmirësuar shërbimet dhe mirëqenien e tyre. Qeveria duhet të ndihmojë komunat me mjete shtesë. Ju e patë që kanë projekte tejet të rëndësishme, urat të cilat e lehtësojnë qarkullimin e fëmijëve dhe të gjithë njerëzve. Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, projekt që nuk e ka mbështetur kjo Qeveri. Po ashtu edhe projekti që ndërlidhet me ujësjellësin. Kur jemi te uji, si një nevojë bazike, përderisa Qeveria e Kosovës merr vendime që të obligojë gastronomët që t’u shërbejë ujë nga kroji qytetarëve që pijnë kafe, në anën tjetër, këtu në Drenas, e njëjta Qeveri, nuk është duke u ndihmuar qytetarëve që të kenë furnizim me ujë të pijshëm. Një pjesë e madhe e fshatrave të kësaj komune e kanë këtë problem në baza ditore.”, ka thënë Kryetari Memli Krasniqi.