Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se afera e grurit për rezervat shtetërore është vulë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti të përqendruar në korrupsion e keqpërdorim.
Krasniqi ka thënë se “nga keqpërdorimi i qindra miliona eurove në energji, sot, Qeveria e Albin Kurtit, me emblemën e rreme të shpresës në ballë, ka futur duart edhe në sofrat e qytetarëve, duke vjedhur edhe produktet bazike ushqimore të rezervës shtetërore”.
“Afera e fundit – afera e grurit – është vulë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti të përqëndruar në korrupsion e keqpërdorim. Nuk ka ku shkon më poshtë se kaq. Apo ka?”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Ai më tej ka thënë se “në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve, kjo Qeveri u koordinua edhe me një kriminel si Radojçiqi”.
“Kundër shtetit dhe të ardhmes së qytetarëve, kjo Qeveri i tensionoi raportet me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kjo tufë keqbërësish i solli edhe sanksione Kosovës, ndërsa politikat e tyre të çoroditura po e shpopullojnë vendin anembanë – vetëm gjatë qeverisjes së Albin Kurtit gati 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendlindjen në kërkim të perspektivës diku në shtetet perëndimore”.
Kreu i PDK-së ka thënë se “derisa aferat dhe skandalet korruptive po shumëfishohen, tri nga elementet bazë që e përbëjnë shtetin e së drejtës sot po i mungojnë Kosovës: transparenca, llogaridhënia, drejtësia! Por, që të trija këto do t’i kërkojmë e do t’i realizojmë – deshën apo s’deshën pushtetarët e sotëm”.
“Kjo Qeveri nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve. Kjo Qeveri nuk i mbron më interesat e shtetit. Zgjedhjet e reja dhe rikthimi i mandatit tek qytetarët janë e vetmja zgjidhje përpara. Sa më parë, aq më mirë – edhe për shtetin edhe për qytetarët!”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe, në përgjimet e publikuara në media zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë bisedojnë rreth nënshkrimit të kontratës për blerjen e grurit vitin e kaluar. Sipas bisedës, kuptohet se kishte dyshime që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë po mungonte. Vlera e grurit që mungonte sipas bisedave, del të ishte rreth 6 milionë euro. /Telegrafi/