Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se me anëtarët e Kryesisë, deputetët e Grupit Parlamentar dhe Kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, dje dhe sot, kanë mbajtur takime të frytshme për të koordinuar agjendat politike dhe legjislative para fillimit të Sesionit vjeshtor parlamentar.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, thotë se “gjendja socio-ekonomike dhe politike në vend po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
“Kriza ekonomike që po përcillet me një inflacion rekord, shtrenjtimi enorm i produkteve esenciale, grevat e sindikatave dhe ndërprerja e mësimit për fëmijët tanë, mungesa e investimeve kapitale, diskriminimi i skajshëm që Qeveria po ua bën komunave dhe shumë probleme të tjera – kërkojnë trajtim dhe veprime emergjente”, ka shkruar Krasniqi, transmeton Telegrafi.
Krasniqi thotë se, “si parti shtetformuese, lidere e opozitës dhe që udhëheqë me 8 komuna, ndërsa bashkëqeveris në 9 sosh, me prioritet interesin shtetëror e qytetar, PDK do të angazhohet maksimalisht në të gjitha format dhe kapacitetet për të dhënë kontributin e vet, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”.
“Qeveria aktuale i ka braktisur qytetarët dhe ua ka kthyer shpinën problemeve të tyre. Duke rrënuar arritjet e deritashme, Qeveria ka imponuar stagnimin në të gjitha fushat, që ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve tanë”.
“Në Kryesi, Kuvend dhe nëpër Komuna – Partia Demokratike e Kosovës do të punojë dhe kërkojë që shteti dhe Qeveria të jenë më afër qytetarëve në periudhën e tyre më sfiduese pas luftës, ndërsa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, kemi hartuar vizionin për qeverisjen e re të vendit, për të ardhmen e qytetarëve tanë, pa dallim”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/