Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka publikuar të mërkurën një video ku ka vënë një nga të gjeturat e Komisionit Evropian në raportin për Kosovën.
Aty thuhet se Kuvendi i Kosovës ka dështuar shpeshherë të votojë projektligje, si dhe ka dështuar të ketë kuorum në mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe në seancat plenare, edhe pse Qeveria aktuale vazhdon ta ketë numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.
E lidhur me këtë Krasniqi ka thënë se shumë prej ligjeve të miratuara nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë dalë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Pushteti ka dështuar edhe në Kuvend – në seanca plenare e në Komisione Parlamentare. Edhe nga ato ligje të miratuara, shumë prej tyre, si asnjëherë më parë, kanë dalë në kundërshtim me Kushtetutën. Paaftësi e skajshme – pushtet i dobët!”, ka shkruar kreu i PDK-së në Facebook. /Telegrafi/