Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar një takim me deputetin gjerman Thomas Hacker, raportues për Kosovën në Bundestag.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka theksuar se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërpartiak mes PDK-së dhe Partisë Liberale Gjermane (FDP).
Ai ka njoftuar se një pjesë e bashkëpunimit përfshin edhe aktivitetet e përbashkëta me Fondacionin Friedrich Naumann (FNF).
Në të njëjtën ditë, Krasniqi dhe Hacker morën pjesë në hapjen e seminarit të organizuar nga FNF me temën “Lidershipi dhe Qeverisja Liberale: Perspektivat për Kosovën”.
Gjatë këtij seminari, u diskutua rëndësia e liberalizmit në politikë, duke u theksuar nevoja për një politikë të bazuar në ide dhe vlera që përballen me sfidat e kohës. Krasniqi vlerësoi bashkëpunimin me FDP-në gjermane, duke theksuar rëndësinë e vlerave liberal-demokratike për të ardhmen e Kosovës, si një kundërpeshë ndaj populizmit dhe si bazë për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kjo vizitë dhe diskutim përbashkët thekson partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, sidomos në aspektin politik dhe zhvillimor./Telegrafi/