Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi informoi se sot takoi njohësin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, profesorin Edward P. Joseph.
Në llogaronë e tij në Facebook, Krasniqi bëri të ditur se me profesorin Josep diskutuan për situatën aktuale në Kosovë dhe nevojën për veprime dhe siç u shpreh ai, vendime të matura e të përgjegjshme për vendin.
“Profesorin Edward e falënderova për përkushtimin e tij në mbrojtje të së vërtetës tonë, si popull e shtet, në arenën ndërkombëtare”.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur janë detyruar të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale janë duke qëndruar protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.
Ndërsa, forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët janë duke u mbajtur në Serbi.