Nënkryetari i PDK-së dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka folur për partinë e tij pa ish-kryetarin Hashim Thaçi. Krasniqi ka thënë se është kapitull i veçantë udhëheqja nga Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se është hera e parë që një parti e madhe dhe me ndikim po kalon një proces tranzicioni krejt natyrshëm, transmeton Koha.net.
“Ka filluar një kapitull i ri në tregimin për PDK-në, që nga periudha e themelimit e deri tek zgjedhja e Thaçit president i Kosovës”, ka thënë Krasniqi në “Rubikon” të KTV-së, duke shtuar se edhe Kadri Veseli, që pritet të jetë kryetar i PDK-së, ka marrë një peshë dhe barrë të madhe për të udhëhequr PDK-në.
Ndërsa analisti Agon Maliqi ka thënë se PDK ka qenë e para që është sprovuar në qeverisje pa mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve sikur ka qenë para pavarësisë.
Maliqi në theks të veçantë ka thënë se klientelizmi e ka cenuar zhvillimin e vendit.
Kurse, gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se Thaçi ka drejtuar një parti komandantësh dhe që ata janë akomoduar në nivele më të ulëta sikur drejtimi i komunave.