Site icon Telegrafi

Krasniqi përshëndet miratimin e rezolutës kundër raportit të Dick Martyt në Kuvendin e Shqipërisë

Kreu u PDK-së, Memli Krasniqi e ka përshëndetur miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e cila i adresohet Këshillit të Evropës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të përfshira në raportin e ish-Senatorit Dick Marty.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, tha se këto pretendime kanë qenë dhe mbesin shkak i një barre të padrejtë që ka rënduar mbi shtetin e Kosovës, tashmë më shumë se një dekadë.

“Institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë i kanë përmbushur të gjitha obligimet për t’i trajtuar pretendimet e tilla, përkundër se nuk mund të ketë rezultat për diçka që s’ka as bazë as lëndë. Megjithatë, ne kemi paguar e vazhdojmë të ballafaqohemi padrejtësisht me koston e atyre pretendimeve të pabaza, diçka që do të duhej të merrte epilog pikërisht nga Këshilli i Evropës, për ta çliruar të vërtetën e epokës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fabrikimet qëllimkeqe të armiqve të lirisë dhe pavarësisë sonë. Faleminderit të gjithë deputetëve që unanimisht e votuan këtë Rezolutë, e në veçanti inicuesve dhe hartuesve të saj”, shkruan lideri i PDK-së.

Lexo po ashtu Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën kundër raportit të Dick Martyt për Kosovën

Raporti i vitit 2010i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte./Telegrafi/

Exit mobile version