Telegrafi

Krasniqi i përgjigjet Abdixhikut: Shkurtimi i fushatës zgjedhore duhet të trajtohet dhe të marrim vendim

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i është përgjigjur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku pas kërkesës së këtij të fundit për shkurtim të fushatës zgjedhore.

Krasniqi në një konferencë për media, u shpreh se PDK ka diskutuar për shkurtimin e fushatës zgjedhore.

Lexo po ashtu Abdixhiku letër publike liderëve partiakë: Ta shkurtojmë fushatën dhe përballjen politike ta bëjmë përmes debateve në media

“Unë kam biseduar me z. Abdixhiku dhe z.Haradinaj pas dërgimit të letrës dërguar z.Kurti. Ne i ndajmë bashkërisht shqetësimet për situatën me pandeminë, dhe çkado që është e nevojshme të
ndërmerret për të siguruar një përmirësim të situatës dhe për të ruajtur shëndetin e qytetarëve, është e nevojshme të diskutohet dhe të marrim vendime”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se e konsideron të rëndësishme që zgjedhjet e 17 tetorit të zhvillohen në nivelin e transparencës dhe demokracisë, por duke pasur prioritet sigurimin e shëndetit të qytetarëve.

“Fushata zgjedhore dhe shkurtimi i saj gjithsesi duhet të trajtohet. Duhet të diskutojmë për tu dakorduar për një fushatë të shkurtuar. Unë besoj që të gjithë pa dallim duhet ta kemi prioritet shëndetin publik”, tha Krasniqi. /Telegrafi/