Site icon Telegrafi

Krasniqi për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt: Drejtësia herëdokur do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë

Foto: Arkiv

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas dënimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt me 4 vjet e gjysmë burg nga Gjykata Speciale.

“Liria e popullit tonë nuk është falur, por është fituar me gjak e sakrificë dhe lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, përballë një agresori pushtues e të pamëshirshëm, i cili ka provuar ta zhbëj identitetin dhe ekzistencën tonë. Kjo është e vërteta mbi të cilën na ka mbështetur qytetërimi perëndimor dhe bota demokratike dhe pjesë e kësaj të vërtete janë edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet e as nuk bën të harrohet”, tha Krasniqi nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook.

Ai tha se në rrethanat e krijuara sot, pas dënimit të tyre nga Gjykata Speciale, bashkëndjejmë me familjet Gucati e Haradinaj.

“Drejtësisë i kemi besuar dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, tha Krasniqi.

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020. /Telegrafi/

Exit mobile version