Site icon Telegrafi

Krasniqi: PDK-ja shënoi rezultat historik me 50 mijë vota më shumë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ai ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve për besimin e dhënë, duke e cilësuar suksesin e partisë si një arritje historike.

“Faleminderit!” – ka qenë fjala e parë e Krasniqit, duke shprehur falënderim për rreth 200 mijë qytetarë që mbështetën PDK-në në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai theksoi se partia ka shënuar një rritje të ndjeshme, me 50 mijë vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit.

“Garuam me kandidatin, vizionin dhe listën më të mirë për Kosovën. Prezantuam projektin më të duhur për zhvillimin e vendit. Dhe u rritëm – me 50 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e fundit, një rezultat historik për partinë tonë.”

Krasniqi ka theksuar se ky rezultat është vlerësim për punën e PDK-së dhe angazhimin e qytetarëve, por gjithashtu një sinjal se mundësitë për rritje janë ende të hapura.

“A është ky maksimumi ynë? Jo! A mundemi më shumë? Patjetër!”

Lexo po ashtu Bedri Hamza më i votuari – Lista e 24 deputetëve fitues në PDK

Kreu i PDK-së ka njoftuar se partia do të vazhdojë rrugën e saj drejt synimeve të mëdha, duke shënuar zgjerim pas fitores së shënuar në zgjedhjet lokale.

Ndër të tjera, Krasniqi ka vlerësuar procesin zgjedhor si demokratik dhe shembullor, por ka theksuar nevojën për garantimin e çdo vote dhe eliminimin e çdo dyshimi mbi procesin zgjedhor.

“Kosova ka shumë nevojë për qartësi, stabilitet dhe zhvillim. Ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme sa më shpejt, sepse ka nevojë për shpresë dhe besim. Ka nevojë për miq, partnerë dhe aleatë – sepse asnjëherë, e veçanërisht sot, koha nuk pret për ata që hezitojnë.”

Ai ka theksuar se çdo parti politike që ka fituar mbështetje duhet ta përkthejë atë në veprime konkrete për të mirën e qytetarëve.

“Kosova është Atdheu ynë që nuk falet! Dhe Atdheu ynë meriton më mirë!”

Kjo deklaratë e Krasniqit vjen pas përfundimit të numërimit të votave, duke përcaktuar PDK-në si një nga forcat kryesore politike në vend, me një mbështetje të konsiderueshme nga qytetarët. Me këtë rezultat, partia e tij synon hapat e ardhshëm në skenën politike, duke e konsideruar këtë një moment kyç në rikthimin e saj në qeverisje.

Exit mobile version