Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka falënderuar delegatët për besimin e dhënë me votë për të drejtuar partinë.
Krasniqi tha se do tua shpërblej besimin me punë të pandalshme e bashkëpunim me secilin anëtar por edhe me qytetarët që duan t’i bashkohen PDK-së.
“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit, padyshim që do të kemi shumë sfida e pengesa, nuk do të jetë e lehtë por e njoh shpirtin dhe vullnetin që buron nga secili prej jush dhe duke u bazuar në këtë energji të pashtershme jam i sigurt që do ia dalim”, tha Krasniqi pasi u zgjodh kryetar i PDK-së.
Memli Krasniqi u zgjodh sot kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës në konventën e dhjetë të kësaj partie.
Kransiqi ka thënë se është falënderues për mundësinë dhe i ndërgjegjshëm për barrën e përgjegjësisë që do ta merr si i pari i partisë.
Gjatë prezantimit të platformës politike Krasniqi tha se si parti sot janë në opozitë.
“Kanë qenë edhe gabimet tona, që i kanë kontribuuar kësaj situate… Se si duhet të operojë sot PDK, mbi këtë situatë politike, duhet të flasim hapur për disa gjëra, e të mendojmë nga e ardhmja. Ne sot jemi opozitë. Kanë qenë edhe gabimet tona, që i kanë kontribuuar kësaj situate. Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre. Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njëjtë”, u shpreh Krasniqi. /Telegrafi/