Pasi Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Luljeta Aliun anëtare të Komisionit të Pavarur për Media ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Krasniqi thotë se më këtë emërim qeveria synon të pengojë fjalën e lirë dhe kapjen e mediave.
“Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave”.
Sipas tij, mediat u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe atyre të dështuara.
“Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka kërkuar nga shumica të mbajë duart larg nga mediat.
“Vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e, fatkeqësisht, kjo po ndodhë tash e dy vjet në vendin tonë”, ka shkruar tutje Memli Krasniqi./Telegrafi/