Site icon Telegrafi

Krasniqi pas takimit me Selën: Kemi kërkuar nga Qeveria që t’i ndryshojë kufizimet për hyrjen e shtetasve të huaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën.

Krasniqi ka thënë se me Selën dhe bashkëpunëtorët e tij kanë biseduar për temat politike, e po ashtu edhe për masat kufizuese antiCOVID, që ka vendosur Qeveria javë më parë, transmeton Telegrafi.

“Pata kënaqësinë që sot të mirëpres Ziadin Selën, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe kryetaren e Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Ilire Dauti, me të cilët diskutuam për tema aktuale të interesit shtetëror e kombëtar”.

“Përveç temave politike që preokupojnë qytetarët e dy vendeve tona, biseduam edhe për çështjen e masave kufizuese të vendosura nga Qeveria e Kosovës për të mos lejuar hyrjen e shtetasve të huaj pa dozën e tretë të vaksinës anti-Covid, ku shprehëm shqetësimin për pengesat që po u shkaktohen shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut gjatë hyrjes në Kosovë”, ka theksuar Krasniqi.

Tutje, Krasniqi, ka shtuar se “ne kemi reaguar në vazhdimësi lidhur me këtë duke kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i shqyrtoj dhe ndryshoj këto kufizime”.

“Si çdoherë, Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në veçanti me shqiptarët atje”. /Telegrafi/

Exit mobile version