Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën solemne të shënimit të 25 vjetorit së Epopesë së UÇK-së tha se sakrifica e familjes Jashari dhe Marsi i lavdishëm i 98-tës, vunë themelet e Kosovës së lirë e të pavarur.
Krasniqi tha se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet e luftës për kauzën kombëtare.
“Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe Marsin e Lavdishëm të 98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet. UÇK-ja e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, por nuk ka luftuar vetëm për pragun e shtëpisë. Ka luftuar për kauzën tonë kombëtare shekullore.
Ka luftuar për drejtësinë historike. Dhe madhështia e UÇK-së nuk e merr kuptimin e plotë pa sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes Jashari, që frymëzoi dhjetëra mijëra djem e vajza për t’iu përgjigjur kushtrimit për çlirimin e vendit. Me këtë rast, në këtë ditë të lavdisë shembullore, na mungojnë bashkë-rrugëtuesit e Adem Jasharit, që nuk ju ndanë rrugës së tij deri në bërjen e Kosovës shtet të lirë e të pavarur, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dhe bashkëluftëtarët e tyre, që të privuar nga liria, po mbahen larg nesh në betejën e fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së”, theksoi kreu i PDK-së.
Krasniqi tha se një çerek shekulli nuk e ka shlyer aspak kujtesën e gjeneratave që i kanë përjetuar ato ditë, por ato ditë e tejkalojnë kujtesën e gjeneratave, sepse i takojnë një epoke historike, të cilën duhet t’ua mësojmë në mënyrë të drejtë gjeneratave që do të vijnë.
“Dhe një histori e drejtë, e saktë për nga faktet, gjithëpërfshirëse për nga natyra dhe e qëndrueshme për nga e vërteta, mund të shkruhet vetëm kur i përgjigjemi pyetjes: Cili do të ishte fati i Kosovës, po të mos kishte ndodhur sakrifica e Familjes Jashari dhe po të mos kishte qenë UÇK-ja? Është e pamohueshme se lëvizjet politike që lindën në vitet e 90-ta, që ju përgjigjen një nevoje dhe një të drejte historike, si liria dhe pavarësia, i hapën popullit tonë një dritare shprese për liri e pavarësi. Por, Serbia nën regjimin e Millosheviqit, ishte agresor që s’kuptonte as gjuhën e paqes, as të dialogut, e as të drejtësisë që natyrshëm i takonte vendit dhe popullit tonë. Për afër një dekadë, përkundër se pati një konsistencë nga brenda, pati një status-quo nga jashtë. Prandaj, dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha fund asaj status-quoje”, shtoi ai.
Kreu i PDK-së tha se në mars të vitit 1998 liria si kauzë dhe vdekja për liri, dolën nga miti e u bënë realitet në Prekaz, aty ku pushojnë më të denjët e lirisë sonë, aty ku çdo shqiptar përkulet me nderim.
“Adem Jasharin, para se ta nderojmë për luftën e sakrificën, duhet ta nderojmë për jetën dhe frymëzimin që i ka paraprirë asaj sakrifice. Para se ta marrim si nismëtarin e rrugës për çlirim, duhet ta marrim si vizionarin që vendosi themelet e vetëdijes që nxiti e nisi drejt asaj rruge. Para se ta marrim si heroin që i ka dhënë kuptim një date të një kohe të shkuar, duhet ta marrim si heroin që i ka dhënë kuptim çdo kohe pas asaj date. I tillë ishte ai dhe të tillë ishin të gjithë ata që ndoqën rrugën e sakrificës sublime për lirinë e Kosovës. Prandaj sot, me zemër të plotë, me vetëdije të lartë dhe me përgjegjësinë që kemi ndaj të ardhmes, nderojmë e përkulemi para veprës së tyre heroike, mbi të cilën qëndron themeli i Kosovës së lirë e të pavarur. Natyrisht, kjo Epope, krahas rrafshit të një kauze çlirimtare, nuk mund të ndahet edhe nga dimensioni i sakrificës së pashembullt njerëzore që familja Jashari ka manifestuar përmes saj”, theksoi ai.
Kryetari Krasniqi bëri thirrje që tani 25 vite pas pas Epopesë së UÇK-së kur Kosova ka ende shumë punë të papërfunduara, të tejkalohen interesat e ngushta duke marrë përgjegjësitë që i takojnë.
“Një çerek shekulli pas Epopesë së UÇK-së, Kosova ka ende shumë punë të papërfunduara. 25 vite pas, duhet të ngritemi për të marrë përgjegjësitë që na takojnë, përtej interesave të ngushta. Adem Jashari nuk ka qenë njeri politik e as partiak. Ai nuk i takon askujt veçanërisht, por na takon të gjithëve bashkërisht, si shtet e si komb, të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Si frymëzim e si yll polar për të bërë punë të mira për vendin e për popullin tonë. Dhe në këtë përkatësi të përbashkët që na lidhë me emrin e tij, shtrihet edhe përgjegjësia jonë që të punojmë për një Kosovë më të mirë e më të drejtë, me më shumë perspektivë për të rinjtë e të rejat e vendit tonë. Për një Kosovë të tillë, Prekazin e kemi udhërrëfim, për rrugën e cila nuk do të na shpie kurrë në qorrsokak”, përfundoi Krasniqi. /Telegrafi/