Site icon Telegrafi

Krasniqi, opozitës: Lëreni inatin politik, të ulemi dhe të flasim rreth rezolutës për dialog

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka ftuar përfaqësuesit e grupeve parlamentare që të harmonizojnë përmbajtjen e rezolutës rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Krasniqi ka thënë se opozita është duke krijuar një momentum ku nuk mund të bisedojmë rreth rezolutës për dialog, shkaku i bojkotit nga ana e tyre.

“Ne jemi në një situatë ku për fat të keq, ku bojkoti që u iniciua nga deputetët e opozitës ka krijuar një momentum ku ne nuk po mund të bisedojmë rreth temës së rëndësishme që është dialogu Kosovë-Serbi”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit kanë pasur disa propozime për opozitën.

“I kemi propozuar opozitës që të bëhemi bashkë në njërën prej seancave dhe që do ta hartojmë një rezolutë të përbashkët. Ne e dimë se tërësia territoriale dhe shtetësia e Kosovës janë të pacenueshme dhe të padiskutueshme.  Rezoluta të jetë më gjithëpërfshirëse, të ketë më shumë pika e jo vetëm një.

Po ashtu i kemi propozuar që nëse opozita nuk dëshiron seancë të përbashkët por të merr pjesë në seancën e ftuar nga kryeministri dhe të votoi edhe kundër ekipit negociator, dhe ne do të marrim pjesë në seancën e tyre”, shtoi Krasniqi.

Krasniqi theksoi se duhet të largohemi nga inati politik dhe ti shohim interesat e qytetarëve, dhe sipas tij nëse vazhdohet kështu do të vazhdojmë të jemi më të dobët të përfaqësuar në dialogun me Serbinë . /Telegrafi/

Exit mobile version