Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për situatën me pandeminë, ka thënë se nga dhjetori e deri më sot ka pasur rritje enorme të rasteve të reja pozitive.
“Vetëm dje patëm 4 mijë e 397 raste të reja me COVID, numër ky që vetëm për një ditë të vetme rezulton më shumë të infektuar në total sesa numri i të infektuarve marrë së bashku ndonjëherë edhe për disa muaj me radhë gjatë viteve të kaluar. Vetëm një muaj mbrapa kishim vetëm 12 raste pozitive, për një muaj patëm një rritje eksponenciale të rasteve me mbi 36 mijë %”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se varianti Omicorn e zuri në befasi qeverinë tonë.
“Sa për sqarim sa për sqarim më 26 dhjetor janë konfirmuar rastet e para të variantit Omicron. Edhe ky variant qeverinë tonë e gjeti në befasi përkundër që e gjithë bota përgatitej të ballafaqohej me të. Vendi ynë është përfshirë në një valë të re të pandemisë, dhe kjo është shqetësuese. Më së pari është shqetësim sepse nuk po duhet shqetësim për qeverinë”, tha Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se Qeveria ka vendosur masa mbi qytetarët dhe ua ka lënë zbatimin e tyre vetë qytetarëve.
“Cila është logjika e vendosjes së kufizimeve që nuk zbatohen nga qeveria, cila është logjika e vendosjes së kufizimeve ndaj atyre që iu kanë nënshtruar gjitha rekomandimeve shëndetësore dhe i kanë plotësu standardet për të mos qenë subjekt i barabartë ndaj këtyre kufizimeve. Barazimi mes të vaksinuarve dhe të pa vaksinuarve është stimulim për tu mos vaksinuar që do të ishte dëmi më i madh”, tha Krasniqi.
Kryetari i PDK-së më tej shtoi se kufizimi i lëvizjes me orare dhe operimi me orë policore i jep konotacion mitik virusit thu se virusi del natën dhe bënë kërdi në Kosovë e ditën e ka pushim
“Ora policore përveç që është e panevojshme është e palogjikshme. Edhe vendimi tjetër skandaloz ishte edhe vendosja e masave për të hyrë në Kosovë vetëm me tre doza ta vaksinimit, përbënë absurditet të pakuptimtë”, tha Krasniqi. /Telegrafi/