Telegrafi

Krasniqi: Nuk jam i kënaqur me rezultatin, Besa gjithmonë futet në fushë për të fituar

Besa ka pësuar disfatën e radhës në kampionatin elitar të futbollit kosovar, ndërkohë që qëndrimi në këtë rank garash është thuajse i pamundur.

Pejanët pësuan në shtëpi nga Trepça ’89 në kuadër të xhiros së 23-të me rezultat 2-1.

Megjithatë, kryetrajneri i kësaj skuadre, Leutrim Krasniqi është ndarë i kënaqur nga ajo se çfarë kanë treguar futbollistët e tij në këtë takim.

“Pavarësisht rezultatit për të cilin normalisht se nuk jam i kënaqur, unë i përgëzoj futbollistët të cilët e merituan fitoren, pasi që kompletuan një ndeshje mjaft të mirë në dy drejtimet, sikurse në repartin defansiv, po ashtu dhe në repartin ofansiv. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës”, deklaroi fillimisht Krasniqi për “Art Sport”.

“Synimet tona janë të ngrisim nivelin e futbollistëve dhe të qasemi me shumë seriozitet nga ndeshja në ndeshje. Ne synojmë të fitojmë çdo ndeshje pavarësisht që jemi në pozitën e fundit të renditjes tabelare”, përfundoi Krasniqi.

Besa e Pejës mbetet në pozitën e fundit të renditjes tabelare me vetëm 7 pikë të grumbulluara.

Në ndeshjen e radhës skuadra e Besës do të përballet me Prishtinën në “Fadil Vokrri”, takim që do të zhvillohet në mesjavë. /Telegrafi/