Nisma për Kosovën ka hapur fushatën zgjedhore në Istog, ku në këtë qytet kjo parti nuk ka kandidat për kryetar, por vetëm bartës të listës dhe kandidatë për asamblistë.
Për t’iu dhënë mbështetje këtyre kandidatëve në Istog ishte edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi.
Ai u tha para tyre është e ardhmja e vendit dhe e popullit.
Krasniqi tha se Nisma për Kosovën me të vërtetë është parti e re, pasi që për herë të parë garon për pushtetin lokal.
Ai tha se nuk e kanë bërë Nismën për vete, por këtë e kanë formuar se kanë qenë të bindur se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një subjekt të orientimit social demokrat.
“Ne dëshirojmë që gjeneratat që po vijnë të jenë në shërbim të qytetarëve të vet, të vendit të vet. Vendi, shteti, kombi pastaj vjen partia dhe familja. Tek ne e kanë përmbysë piramidën ku interesin e vet e kanë vendos të parin dhe interesat e shtetit të fundit.”, tha Krasniqi.
Ndërsa, kryetari i Degës së Nismës në Istog dhe bartës i listës, Musa Fetahaj, iu drejtua kandidatëve duke u thënë se ata si kandidatë do të jenë shërbyes të popullit.
“ Ne do të jemi në shërbim të qytetarëve, të bujqve, në shërbim të familjeve të dëshmorëve. Nuk do të lejojmë që punësimet të bëhen në baza partiake. Ka ardh koha për ndryshim, ka ardh koha që atyre që janë shkëputur nga qytetarët të mos u jepet më mundësia”, tha Fetahaj.
Deputeti Milaim Zeka, duke kërkuar mbështetje për asamblistët tha se Nisma është parti e fukarave dhe qëllim ka t’iu qëndroj afër tyre pasi sipas tij Kosova është një prej vendeve më të varfra në botë.