Telegrafi

Krasniqi: Në veri nuk zbatohet Kushtetuta

“Sa i përket zbatimit të ligjshmërisë, por edhe të kushtetutshmërisë në pjesën veriore të Kosovës, mund të themi se nuk janë duke u zbatuar as njëra, as tjetra, për faktin se atje sundon krimi, kontrabanda dhe institucionet paralele, që kanë ngritur ish-strukturat policore dhe paramilitare serbe në atë pjesë", ka thënë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Krasniqi shpreson se shtrirja e EULEX-it në veri mund të sjellë ndryshime pozitive në zbatimin e ligjeve kosovare atje, përkundër faktit se EULEX, si mision teknik, ka për obligim t’i mbikëqyrë, t’i ndihmojë dhe t’i këshillojë institucionet e Qeverisë së Kosovës në polici, dogana dhe drejtësi, dhe jo të mbikëqyrë zbatimin e Kushtetutës.

“Nga fillimi i këtij viti, një dritë shprese duket me shtrirjen e EULEX-it dhe ndoshta ky vit do të përmbyllë së paku një sundim të ligjit në atë pjesë të Kosovës. Derisa nuk ka kurrfarë bashkëpunimi të institucioneve lokale me institucionet qendrore, derisa atje të sundojnë strukturat paralele të ish-pushtetit serb, nuk ka as zbatim të ligjeve, as të Kushtetutës. Institucionet e Kosovës në një formë janë mjaft të pamundësuara, por, megjithatë, përgjegjësinë në këtë fazë, në atë pjesë të Kosovës, tani për tani e ka EULEX-i", tha Krasniqi. /REL/Telegrafi/