Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi së bashku me anëtarë të kësaj partie, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
I pari i PDK-së, tha se 24 vite më parë në Prekaz UÇK morri forcën për të udhëhequr çlirimin e vendit duke e sjellë atë deri te pavarësia.
“Kurdoherë që vij këtu në Prekazin e lavdisë së përjetshme dhe veçanërisht në datat 5,6 dhe 7 mars në datat e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me nder dhe përulje me respektin maksimal e përkujtojmë luftën titanike dhe sakrificën sublime të kryekomandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes Jashari. Në këto data të cilat kanë shënuar kthesën më të madhe në historinë e re të Kosovës por jo vetëm duke e zgjuar vëmendjen e të gjithë botës, por edhe duke e zgjuar vëmendjen e të gjithë kombit tonë dhe duke e vulosur një të vërtetë që pa një kryengritje dhe një luftë të armatosur, populli i Kosovës nuk do të fitonte lirinë. Andaj pikërisht këtu në Prekaz, 24 vite më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës morri forcën që e kërkonte për t’u bërë udhëheqëse e çlirimit të Kosovës dhe për të krijuar pastaj rrugëtimin deri te pavarësia e vendit tonë dhe shtetit që e kemi sot”, tha ai.
Kryetari i PDK-së kujtoi edhe katër bashkëluftëtarët e kryekomandantit legjendar, Adem Jashari që po mbahen në Hagë, e që shpreh dëshirën që në këto ditë të lavdishme të ishin së bashku.
“Në këto momente do të kishim dëshirë t’i kishim pranë vetës bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të gjithë të tjerët që sot nuk janë këtu dhe po e vazhdojnë betejën për të drejtën tonë, vërteten tonë dhe për historinë tonë. Por pa dyshim se mbi të gjitha çdo vizitë në Prekaz na shërben për tu frymëzuar dhe për të marrë fuqi që duhet secili njeri që ka marrë një përgjegjësi publike për të bërë punë të mira për vendin dhe për të vazhduar obligimet që kemi për ta ndërtuar një shtet të zhvilluar dhe që i ofron dinjitet secilit qytetarë të Kosovës”, kujtoj Krasniqi. /Telegrafi/