Site icon Telegrafi

Krasniqi: Në Pakon e Rimëkëmbjes do t’i mbështesim rreth 70 për qind të bizneseve

Një muaj më parë, Qeveria e Kosovë hoqi masën e reciprocitetit me Serbinë, por ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi deklaron se ky shtet tashmë ka humbur tregun e Kosovës pasi është shënuar rënie e importeve të mallrave nga Serbia.

Duke u ndalur të masat e reja të Qeverisë që rikthehu kufizimin e lëvizjes në disa komuna dhe mbylli gastronominë prej orës 21:00 deri në ora 05:00 në të gjithë vendin, Krasniqi u shpreh se është gjetur intervali kohor që do të dëmtonte më pak bizneset.

Ai pohon se pandemia ka prekur tej masa bizneset në vend, duke shtyrë kështu edhe në falimentimin e disa prej syresh, ndonëse nuk janë mbështetur ende as me Pakon Emergjente Fiskale.

Krasniqi beson se këtë javë do të miratohet në Kuvend rishikimi i buxhetit dhe në këtë mënyrë do t’iu dilet në ndihmë bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat në Kosovë.

“Sigurisht që bizneset, pandemia më herët edhe tash i ka prekur jashtëzakonisht shumë e ne si qeveri jemi në zbatim të pakos së parë fiskale, e cila ka mbetur pa u kryer disa obligime për faktin që ende nuk e kemi bërë rishikimin e buxhetit, e që shpresojmë shumë që këtë javë do të bëhet rishikimi dhe të plotësohet kjo Pako Emergjente kur do t’ju dalim në ndihmë bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë”, thotë Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress.

Ministri i MTI-së po ashtu ka thënë se nëse rikthehet izolimi, ekonomia e Kosovës paralizohet, pasi sipas tij edhe ashtu bizneset janë në gjendje të vështirë.

“Nëse do të ketë rikthim 100 përqind të masave për luftimin e virusit COVID-19, sigurisht që e paralizon ekonominë e vendit, edhe ashtu ne kemi një ekonomi jo aq të zhvilluar, e sigurisht që e dëmton bukur shumë. Mirëpo ne jemi duke bërë të pamundurën. Jemi duke lutur qytetarët që t’i përmbahen masave bazike, për të mbajtur maskën, distancën, higjienën dhe në këtë formë nuk do të vijmë në këtë situatë. Unë mendoj se jemi duke ndërmarrë masa strikte tanimë, edhe në vetëdijesim të qytetarëve”, deklaron ai.

Krasniqi thotë se në mandatin e tij fokusi kryesor do të jetë mbrojtja e prodhuesve vendorë, mbrojtja e konsumatorit dhe mbështetja e eksportit.

Përveç tyre, ai tha se MTI ka në prioritet edhe zbatimin e Ligjit për investime strategjike dhe krijimin e zonave ekonomike.

Duke u ndalur te heqja e reciprocitetit, Krasniqi theksoi se ka rënie prej 50% të importeve nga Serbia duke shtuar se tashmë ky vend e ka humbur tregun në Kosovë.

“Sigurisht që taksa ka bërë efektin e vet për faktin se, edhe pse ka qenë një vendim politik, ka ndikuar pozitivisht tek qytetarët dhe ka mundësuar që të rritet konsumi vendor në vendin tonë. Kjo për shkak të taksës, po ashtu edhe vendosjes së flamujve. Ne tanimë edhe pse kemi hequr taksën, bizneset tona kanë krijuar ura të tjera të furnizimit të produkteve me shtete të tjera. Në këtë aspekt e them që në periudha të njëjta sigurisht që ka rënë dukshëm ose 50 për qind importi nga Serbia, produktet ushqimore të cilat të njëjtën kohë kur s’ka qenë taksa ka pasur furnizime. Për faktin që i përmenda, krijimi i urave të reja të furnizimit me të njëjtat produkte. Sigurisht që Serbia e ka humbur tregun, nuk e ka më treg Kosovën, për faktin se edhe prodhuesit vendorë kanë arritur t’i shtojnë kapacitetet e tyre dhe të zëvendësojnë me ato produkte tregun vendor”, u shpreh Krasniqi.

Ministri Krasniqi beson se me Programin për Rimëkëmbje të Ekonomisë do të mbështeten rreth 70 përqind të bizneseve dhe do të kenë mundësi të përfitojnë në mënyra të ndryshme.

“Vetëm në periudhën e parë të pandemisë, diku 80 përqind e bizneseve kanë qenë pasive. Një pjesë prej tyre me një kapacitet shumë të vogël. Pra, pak biznese kanë ushtruar veprimtarinë e tyre, sikur që janë marketet. Kjo ka ndikuar që shumë prej bizneseve edhe kanë mbyllë biznesin e tyre. Pastaj, disa biznese të tjera ta reduktojnë numrin e punëtorëve. Ne besoj se me programin për rimëkëmbje të ekonomisë do t’i mbështesim diku 70 për qind të bizneseve dhe do të kenë mundësi të përfitojnë në mënyra të ndryshme mbështetëse. Por, deri tek kjo fazë jemi, jemi ku jemi, kërkojmë mirëkuptim edhe nga bizneset dhe nga qytetarët, mirëpo përderisa jemi në një gjendje të tillë me virusin, shëndeti është mbi të gjitha. Andaj, jemi munduar të gjejmë një mes, bizneset të cilat janë dëmtuar për momentin, besoj në një të ardhme të afërt edhe me pakon emergjente dhe për rimëkëmbje ekonomike do t’i mbështesim ato që të jenë likuid apo aktiv në biznesin e tyre”, thotë ai.

Ai po ashtu deklaron se MTI me Inspektoratin e Tregut, me drejtorët e inspektorateve komunale dhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës së shpejti do të ngritin një Task forcë, për të inspektuar gastronominë dhe qytetarët në vend për masat anti-COVID-19.

Exit mobile version