Site icon Telegrafi

Krasniqi në Mitrovicë: Komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, kampione të qeverisjes së mirë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar Komunën e Mitrovicës, ku së bashku me Kryetarin Bedri Hamza, kanë ndjekur nga afër punimet e rëndësishme infrastrukturore që po zhvillohen në këtë komunë.

Krasniqi tha se Komuna e Mitrovicës dhe komunat tjera që udhëhiqen nga kryetarët që janë nga radhët e PDK-së, janë shembull i rikthimit të politikës në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, thuhet në komunikatë.

“Unë jam krenar si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK-ja siç është rasti i Bedri Hamzës, janë modeli më i mirë i qeverisjes, janë kampionet zyrtarë të Kosovës në qeverisjen e mirë, në transparencë buxhetore financiare, në realizim të projekteve, në realizimin e projekteve kapitale edhe në përmirësimin e dukshëm jo vetëm të infrastrukturës që tashmë është evidente po edhe në ofrimin e shërbimeve shumë më efikase edhe ndihmës për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, theksoi Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza tha se Qeveria Kurti përgjatë mandatit të saj nuk ka mbështetur realizimin e asnjë projekti në këtë komunë.

“Katër vjet qeverisje, një shirit të një projekti kapital në Mitrovicë mos me e pre si rezultat i financimit të nivelit qendror, nuk është mirë”, shtoi Hamza.

Gjatë vizitës së tij në Komunën e Mitrovicës, Krasniqi përcolli nga afër punimet për ndërtimin e Ambulantës së Mjekësisë Familjare në Koshtovë, ato në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në lagjen Shipol dhe në rrugën “Mbretëresha Teutë”, hapësirën ku po ndërtohet shëtitorja që lidh shëtitoren e qytetit dhe shëtitoren e Liqenit Akumulues, si dhe punimet e Ballkonit Panoramik të qytetit. /Telegrafi/

Exit mobile version