Telegrafi

Krasniqi në Hagë viziton Thaçin e Veselin: Dielli do të lindë përsëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar këtë të shtunë në Hagë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe njëherit ish-krerë të partisë së tij, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Ata po mbahen në Hagë që nga viti 2020, pasi akuzohen për krime lufte nga Gjykata Speciale.,

E pas vizitës, Krasniqi ka thënë se u ka shprehur mirënjohjen dhe respektin për kontributin e tyre historic.

Në reagimin e tij, i pari i PDK-së ka thënë se dielli do të lindë përsëri.

“Sot, në Hagë, vizitë çlirimtarëve tanë, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për të shprehur edhe një herë respektin dhe mirënjohjen për kontributin e tyre historik. Liria jonë – ishte lufta e tyre. E ardhmja jonë – ishte misioni i tyre. Kosova – ishte dhembja dhe dashuria e tyre.

Dje, sot e përgjithmonë – ata janë krenaria jonë. Dielli do të lindë përsëri!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Vizita e të parit të PDK-së në Hagë vjen në ditën kur në Prishtinë do të protestohet nga veteranët e luftës kundër ligjit për pagën minimale./Telegrafi/