Telegrafi

Krasniqi në Ditën e Lirisë së Shtypit: Qeveria të rrisë transparencën dhe llogaridhënien

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në Ditën e Lirisë së Shtypit, i bëri thirrje qeverisë që të hapet dhe të rrisë transparencën dhe llogaridhënien. 

Lexo po ashtu AGK në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit: Të respektohet puna e gazetarëve në Kosovë

Krasniqi përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se fyerjet, kërcënimet, linçimet e shantazhet në drejtim të mediave dhe gazetarëve nuk duhet të ndodhin kurrë.

Lexo po ashtu Haradinaj: Janë tejet shqetësuese sulmet që u janë bërë gazetarëve e mediave

“Demokracia e një vendi, shumë herë dhe më të drejtë, matet me nivelin e lirisë së shtypit që ekziston në atë vend. Prandaj, sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, e gjithë shoqëria jonë duhet të jetë e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për rëndësinë që mediat kanë në jetën publike. Kjo ditë, mbi të gjitha, është një thirrje për Qeverinë që të hapet dhe të rrisë transparencën dhe llogaridhënien. Fyerjet, kërcënimet, linçimet e shantazhet në drejtim të mediave dhe gazetarëve, ashtu siç, fatkeqësisht, kemi parë e dëgjuar disa herë gjatë kësaj qeverisjeje, nuk duhet të ndodhin kurrë e aq më pak nga ana e institucioneve e zyrtarëve publikë të shtetit. Media e lirë dhe e pavarur duhet të mbetet ndër mekanizmat kryesorë për jetësimin e një demokracie funksionale dhe të shëndetshme”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Telegrafi/