Site icon Telegrafi

Krasniqi: Marrëveshjet ndërkombëtare dëmtojnë bizneset, nevojitet rinegociim i menjëhershëm

Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Skënder Krasniqi ka ngritur shqetësimin e tij mbi ndikimin negativ të marrëveshjeve ndërkombëtare në ekonominë e Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi ka kritikuar ashpër efektet e marrëveshjeve të nënshkruara nga Kosova, duke theksuar se këto marrëveshje nuk kanë mbrojtur mjaftueshëm interesat e bizneset vendase dhe se kanë kontribuar në një rritje të importit të produkteve të huaja pa ndonjë përfitim të dukshëm për eksportet kosovare.

Ai derisa ka kërkuar nga shteti të merr më seriozisht gjendjen e tanishme të vendit, thotë se rënia e ngadalësuar e remitencave nga diaspora, e cila, është bërë e ditur në raportin për vlerësimin tre mujor të ekonomisë të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), do të ndikojë negativisht edhe në qarkullimin e brendshëm të blerjeve brenda vendit.

Derisa shton se çdo marrëveshje që është nënshkruar nga ana e Kosovës në raporte me tregti të lirë ka qenë sipas tij më shumë dëm sesa në përftim të Kosovës, dhe më shumë kanë përfituar ato vende.

Ndërsa, sa i përket udhëzimin administrativ të nxjerrë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për kuotat në import, Krasniqi ka thënë se duhet të jetë i kujdesshëm në veprim për shkak se mund të bie ndesh me këto marrëveshje ndërkombëtare.

“Kosova ka nënshkruar disa marrëveshje ndërkombëtare me të cilat janë të përcaktuara edhe kuotat e qarkullimit të bizneseve. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje të CEFTA-s, të parën ku fatkeqësisht Kosova nuk i ka mbrojtur produktet e veta, marrëveshja e dytë është e MSA-së ku sërish Kosova nuk ka mbrojt mjaftueshëm veten dhe marrëveshja e tretë është tregti të lirë me Turqinë ku sërish kemi një ekspansion të produkteve turke në Kosovë, por nuk kemi rritje të eksportit të Kosovës në Turqi. Dallimi është i madh, që nënkupton që çdo marrëveshje që është nënshkruar nga ana e Kosovës në raporte me tregti të lirë ka qenë më shumë dëm sesa në përftim të Kosovës, dhe më shumë kanë përfituar ato vende…

Ky udhëzim administrativ i cili është i përgjithshëm momentalisht duhet të jetë i kujdesshëm në veprim për shkak se mund të bie ndesh me këto marrëveshje ndërkombëtare. Do të ishte më mirë që të rinegocohen marrëveshjet ndërkombëtare, sidomos me CEFTE-n, MSA-në, por edhe me marrëveshjen me Turqinë, të behet analizë sa kanë ndikuar për të mirën e qytetareve, në përkrahje të bizneseve vendore, rritjen e eksporteve tona drejt këtyre vendeve, dhe nëse këto kanë efekte negative do duhej të negociohen në mënyrë që ne të kemi rritje të eksportit të prodhimeve tona”, thotë Krasniqi.

Duke renditur sfidat, Krasniqi ankohet edhe sa i përket komunikimit ndërmjet bizneseve me Qeverinë, pasi siç thekson ai, nuk është në nivelin e duhur. Ai thotë, se nuk kanë qenë të ftuar për dëgjim publik nga ana e MINT-it edhe sa i përket Udhëzimit administrativ.

“Ne do dëshironim që të kemi një bashkëpunim më të mirë me Qeverinë, dhe para se të merren këto vendime që mund të kenë efekte tek bizneset të shikohet efekti dhe kundër efekti i një vendimi të tillë. Ne si dhomë e Tregtisë nuk jemi kontaktuar nga ana e Ministrisë në mënyrë që të kontribuojmë, siç kemi kontribuar edhe në shumë ligje tjera. Realisht komunikimi me qeverinë aktuale nuk është në nivelin që ne dëshirojmë ta kemi për rritje të prodhimit vendor, rritje të eksportit, mbrojtje të prodhimit vendor, dhe rritje të ekonomisë vendore siç mund të bëjmë në qoftë se do të kishim një bashkëpunim më të mirë”, shprehet Krasniqi.

Ndërsa, Krasniqi ka komentuar rënien e remitencave nga diaspora, ku thotë se rënia e tyre do të ndikojë negativisht në qarkullimin e brendshëm të blerjeve brenda vendit.

“Natyrisht se ndikon, edhe pse këto remitanca fatkeqësisht janë përdorë për mbijetesë nga ana e qytetareve dhe në vend se këto investime të shkojnë në prodhim e jo në përkrahje të bashkatdhetarëve, qytetarëve, familjarëve të tyre apo në blerje të banesave. Këto remitenca kanë ndikuar jo shumë në rritjen ekonomike, por në mbijetesën e qytetarëve.

Rënia e tyre do të ndikojë negativisht edhe në qarkullimin e brendshëm të blerjeve brenda vendit por edhe do të nxitë fatkeqësisht edhe nevojën e qytetareve për t’u larguar, mbijetuar në një vend tjetër, e jo në Kosovë. Ne serish po kërkojmë nga ana e qeverise t’i merr më seriozisht këtë gjendje të cilën jemi dhe të krijojmë së bashku një ofertë për të investuar në Kosovë, sepse vazhdojmë të jemi vendi i vetëm në Ballkan dhe në Evropë që nuk ju ofrojmë për fusha të caktuara investitorëve kushte për investime”, thotë Krasniqi.

Pas liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, (prej 1 janarit 2024) remitencat kanë shënuar rritje të ngadalësuar.

Kjo bëhet e ditur në raportin për vlerësimin tre mujor të ekonomisë të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Sipas BQK-së, vlera e remitencave të pranuara në tre mujorin e parë 2024 ka arritur në 281 milionë euro, duke shënuar rritje prej 3.6 për qind krahasuar me tre mujorin e parë 2023.

“Rritja e ngadalësuar e remitencave në tre mujorin e parë pas liberalizimit të vizave më vendet e BE-së , mund të jetë ndikuar nga rritja e vizitave të kosovarëve në diasporë , të cilët ofrojnë mbështetje financiare për familjaret e tyre për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit”, thuhet në raportin e BQK-së./KP/

Exit mobile version