Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se liria jonë do të jetë e plotë, atëherë kur gjenocidi serb në Kosovë të marrë dënimin e merituar.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka përkujtuar viktimat e masakrës së Reçakut teksa deklaroi se kjo masakër i dha vulë barbarisë e mizorisë së krimeve të Millosheviqit në Kosovë.
“Sot, me dhembje kujtojmë 45 fëmijë, gra e burra të fshatit Reçak, të cilët 23 vite më parë u masakruan pamëshirshëm nga policia dhe ushtria serbe. Masakra e Reçakut i dha vulë barbarisë dhe mizorisë së krimeve të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ngriti alarmin në mesin e shteteve perëndimore për nevojën e ndërhyrjes së forcave të NATO-s në vendin tonë”, shkruan Krasniqi.
Tutje, ai shtoi se, “Në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës, Reçaku është një ndër plagët tona më të dhimbshme, një histori e përgjakur që nuk harrohet kurrë. Liria jonë do të jetë e plotë, atëherë kur gjenocidi serb në Kosovë të marrë dënimin e merituar. Lavdi e përjetshme për martirët e masakrës së Reçakut”. /Telegrafi/