Site icon Telegrafi

Krasniqi: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacionin, sinjal i keq për komunitetet tjera joshumicë

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se është sinjal i keq për komunitetet jo shumicë, kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës përfitojnë veçanërisht komunitetet joshumicë. Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nga lidershipi aktual i Evropës me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është sinjal shumë i keq për komunitetet joshumicë në Kosovë”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.

Ministri ka thënë se Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës dhe se me këtë kushtëzim krerët e disa prej shteteve evropiane fatkeqësisht po tregojnë se nuk u intereson edhe aq fuqizimi i komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë.

Lexo po ashtu Kosova nuk përfshihet në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

“Së pari, Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës. Me Kushtetutë, serbët e Kosovës e kanë të drejtën dhe lirinë e asociimit si çdo komunitet tjetër. Së dyti, me këtë kushtëzim, krerët e disa prej shteteve evropiane fatkeqësisht po tregojnë se nuk u intereson edhe aq fuqizimi i komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë, si rom, ashkali, egjptian, turk, goran e të tjerë, të cilët më së shumti do të përfitonin nga mekanizmat e Këshillit të Evropës”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se së treti prioritizimi dhe insistimi në mekanizma e entitete një etnike rrezikon që në Kosovë të krijohet një superkomunitet joshumicë, duke e shthurur kështu harmoninë kushtetuese që ekziston ndërmjet komuniteteve joshumicë.

“Si qytetar i kësaj Republike e së dyti si egjiptian në Kosovë, kjo më shqetëson jashtëzakonisht shumë”, ka deklaruar Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version