Telegrafi

Krasniqi kujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën: Veprimtaria e tyre heroike u bë frymëzim për mijëra atdhetarë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kujtuar vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën në 41 vjetorin e vrasjes së tyre.

Krasniqi ka shkruar se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, vunë themelet e bashkërendimit të grupeve politike në një front të përbashkët në rrugën e përpjekjeve të pareshtura të popullit te Kosovës për liri.

“Ekzekutimi i tyre, 41 vite më parë nga dora e shërbimit sekret jugosllav në Untergrupenbach të Gjermanisë, ishte një ndër goditjet më të mëdha që iu dha organizimit politik dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës në botën perëndimore”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se kjo ngjarje nuk arriti të shuante lëvizjen patriotike dhe motivin për çlirim.

“Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ranë, por veprimtaria e tyre heroike u bë frymëzim për mijëra atdhetarë në brezat pasues. Lavdi e mirënjohje e përjetshme për këta kolosë”, u shpreh kreu i PDK-së. /Telegrafi/