Kosova nuk pritet të shpëtojë nga varianti Omicron i COVID-19 që ka vënë në vështirësi shumë vende të botës. Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, thotë se mundësia e paraqitjes është evidente pasi edhe rrugët e përhapjes së këtij varianti janë të njëjta sikurse variantet e tjera.
Krasniqi flet edhe për situatën pandemike, rëndësinë e vaksinimit dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësorë për Ligjin e pagave.
Mali i Zi është vendi i fundit në rajon që është prekur zyrtarisht nga varianti Omicron. Por, tashmë rrezikon edhe Kosova, sidomos kur në këtë periudhë shtohen lëvizjet e qytetarëve për festa por edhe grumbullimet në ambiente të mbyllura.
Pikërisht, për Krasniqin këto janë arsyeje se pse po vazhdohen që të mbahen në fuqi masat e njëjta kundër COVID-19.
“Është virusi i njëjtë dhe ato çka kemi parë është se çdo variant i paraqitur në shtetet e tjera është se herë ose vonë ka arritur në pothuajse të gjitha shtetet. Mundësia e paraqitjes së Omicronit në Kosovë normalisht që është evidente dhe është e vështirë të paramendohet se nuk do ketë raste edhe në Kosovë pasi po them që virusi është i njëjtë dhe rrugët e përhapjes janë të njëjta”, tha Krasniqi për KosovaPress.
Ai thotë se në Kosovë është një situatë e qetë pandemike, ku vetëm gjatë këtij muaji numri i të hospitalizuarve nuk ka kaluar shifrën 50 pacientë.
“Ka javë të tëra, madje dhe muaj, që është i vogël dhe po përjetojmë një situatë jashtëzakonisht të volitshme pandemike sa i përket pandemisë COVID-19. Si rezultat i kësaj edhe numri i pacientëve të shtrirë në Klinikat e QKUK dhe spitalet ka rënë ndjeshëm prej më shumë se dy muaj numri i pacientëve është nën 100, madje këtë muajin e fundit asnjëherë nuk kemi kaluar mbi 50 pacientë që kanë qenë të shtrirë në klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme. Por sigurisht që kjo situatë është rezultat i masave të ndërmarra nga ana e qeverisë dhe institucioneve shëndetësore dhe në veçanti dua të potencoj këtu respektimin dhe zbatimin e masave nga ana e qytetarëve”, u shpreh ai.
Tashmë në vendin tonë jepet edhe doza përforcuese dhe ajo e treta kundër COVID-19 për personat mbi 18 vjeç, prandaj drejtori i SHSKUK-së e konsideron moment të duhur që qytetarët të imunizohen edhe me këto doza të vaksinave.
“Është koha më e mirë që ta shfrytëzojmë tashmë po futemi edhe në sezonin e dimrit edhe më shumë përforcohet nevoja për ta marrë dozën e tretë dhe dozën përforcuese, tashmë njerëzit fillojnë të mbyllen në ambiente të mbyllura, në grupe, qoftë familjare apo edhe më të mëdha, ku rreziku i ekspozimit është më i madh prandaj, po them ta shfrytëzojmë këtë situatë të qetë në mënyrë të vazhdojmë të ruajmë këtë imunitet kolektiv që është formuar qoftë me kalimin e COVID-19, qoftë edhe me krijimin e imunitetit si rezultat i vaksinimit”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi shpreson që sa më shpejt të miratohet edhe Ligji për Paga, pasi siç u shpreh ai, ky ligj është shtylla kryesore për rregullimin e pagave të profesionistëve shëndetësorë dhe trajtimin e tyre në mënyrë të dinjitetshme.
Ai u shpreh se mjekët e infermierët nuk duhet të trajtohen si heronj vetëm nëpër situata pandemike, por kanë nevojë për trajtim e pagë të dinjitetshme në çdo kohë.
“Ligji i Pagave është jetik nëse mund ta them për funksionimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, normalisht që nuk është i vetmi sepse ka edhe shumë punë të tjera për t’u bërë, por do të ishte një nga shtyllat kryesore ku do të rregullonte çështjen e pagave të profesionistëve shëndetësorë dhe me këtë ligj besoj se do gjendej edhe një qetësi shpirtërore e punëtorëve shëndetësorë sa i përket vlerësimit që iu bëhet. Ne nuk kemi nevojë që të vlerësohemi si heronj vetëm në situata të pandemisë ose në situata të caktuara, por kemi nevojë për pagë të dinjitetshme dhe unë po shpresoj shumë që Ligji i pagave do të ec me një ritëm më të shpejtë”, theksoi ai.
Ligji i Pagave ka qenë shkak edhe i dy grevave që profesionistët shëndetësorë kanë mbajtur në javët e kaluara. Ndonëse, edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) kishte paralajmëruar grevë edhe më 21 dhjetor, gjatë ditës së djeshme ata kanë njoftuar se kanë pezulluar përkohësisht grevat për nevojat që kanë pacientët në këtë kohë kur vendi po përballet me gripin sezonal. /Telegrafi/