Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha sot se Kosova nuk ka politikë të jashtme, ndërkaq ministren e Jashtme Donika Gërvalla, e ka quajtur jokompetente dhe të papërvojë.
Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për politikën e jashtme tha se Qeveria e Kosovës, Ministria e Jashtme nuk ka as ide e as veprime për avancim të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
“Pezullimi i plotë i politikës së jashtme të shtetit tonë është problem serioz, më serioz se perfomanca e një ministre… Kosova sot nuk ka politikë të jashtme, ka abstenuar plotësisht nga diçka e tillë…”, tha ai.
Deputeti i PDK-së më tej shtoi se Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vetëdijshme se politika e jashtme e shteteve po merr rëndësi thuajse të njëjtë si politika e brendshme e një shteti.
Ai më tej ka përmendur edhe shkarkimin e ambasadorëve, duke thënë se shkarkimi i pamenduar dhe i njëhershëm ka prodhuar vakum të prezantimit të Kosovës dhe ka rritur mosbesim të shtetet, raporton Telegrafi.
“Kjo ka qenë faza e parë e degradimit të shërbimit të jashtëm”, tha ai, duke shtuar se MPJD ka vazhduar me shkarkime të reja, duke i dhënë goditje të reja Kosovës në botë.
Krasniqi, e ka quajtur ministren e Punëve të Jashtme jokompetente dhe papërvojë, që sipas tij ka prodhuar skandale humoristike. /Telegrafi/