Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se kanë arritur ta menaxhojnë me sukses pandeminë COVID-19.
Krasniqi këto komente i bëri gjatë vizitës së kryeministrit Avdullah Hoti në SHSKUK.
Ai e njoftoi kryeministrin Hoti lidhur me gjendjen me COVID-19 gjatë muajve korrik dhe gusht, ku Krasniqi tha se këta ishin muajt më të ngarkuar sa i përket kapaciteteve spitalore.
“Më 11 gusht kishim numrin më të madh të të hospitalizuarve në nivel vendi kishim 656 pacientë.
Decentralizimi i shërbimeve për këta pacientë, kyçja direkt dhe angazhimi direkt i gjitha spitaleve të përgjithshme mendoj se ishte momenti kyç dhe hapi vendimtar që na mundësoi menaxhimin më të mirë të të gjitha rasteve klinike.
Ne ngritëm kapacitete shtesë me shtretër për këta pacientë, arritëm që në nivel të klinikave dhe spitaleve të përgjithshme të vënë në dispozicion 750 shtretër, ndërkohë që patëm planin B rezervë për shtimin edhe 150 shtretërve tjerë në nivel të QKUK-së”, tha Krasniqi.
U.d i drejtorit të SHSKUK-së, më tej shtoi se organizuan në tërësi stafin shëndetësorë, duke angazhuar qindra infermierë nga klinikat tjera në klinikat që tashmë ishin shndërruar në klinika COVID.
Krasniqi tha se menaxhimi i mirë i pandemisë COVID-19 ishte falë bashkëpunimit të mirë me Qeverinë por edhe falë donatorëve lokal dhe ndërkombëtarë që ju ndihmuan gjatë kësaj periudhe.
Ai shtoi se kanë filluar përgatitjet edhe për shtimin e shërbimeve të reja shëndetësore dhe se prioritet mbetet evitimin dhe largimi të gjitha listave të pritjes.
Krasniqi kërkoi nga kryeministri Hoti që punëtorët shëndetësorë të kenë paga më të dinjiteteshme.
“Punëtorëve shëndetësore duhet tu krijohen kushte më të mira për punë…Mendojmë se punëtorët shëndetësorë e meritojnë të kenë vendin e tyre të merituar në shëndetësi dje shoqëri, meritojnë paga më të dinjitetshme”, tha në fund Krasniqi. /Telegrafi/