Në këtë konferencë është folur për sfidat dhe të ardhmen e sportit dhe raportin e qeverive. Ministri Krasniqi po merr pjesë në këtë samit me ftesë të Ministrit të Rinisë dhe Sportit të Katarit, Salah bin Ghanem bin Nasser Al Al. Në këtë ngjarje, që organizohet për herë të dytë, marrin pjesë mbi 1000 pjesëmarrës, përfshirë drejtues të institucioneve të ndryshme sportive ndërkombëtare, ministra, sportistë dhe ish sportistë të mirënjohur nga e mbarë bota.
“Ministri Krasniqi ka njoftuar homologët e tij me gjendjen nëpër të cilën ka kaluar sporti në Kosovë për vite me radhë. Ai po ashtu ka folur edhe për progresin dhe sfidat që po e përcjellin sportin në Kosovë në këtë kohë.
Theks të veçantë ministri i ka vënë ndërkombëtarizimit dhe infrastrukturës. Ai përmendi para ministrave faktin që sportistëve nga Kosova nuk u lejohet të jenë pjesë e barabartë në garat zyrtare ndërkombëtare. Ministri theksoi se kjo është një drejtë njerëzore dhe komuniteti ndërkombëtar sportiv duhet të hapë dyert, për t’i kontribuar kështu masivizimit të sportit dhe eliminimin e diskriminimit”, është thënë në njoftimin e MKRS-së.
Sipas këtij njoftimi, në këtë takim të ministrave është folur edhe për infrastrukturën dhe sfidat në organizim të ngjarjeve të mëdha sportive. Ministri Krasniqi theksoi problemet me infrastrukturë sportive që ka Kosova. Ai shtoi se po bëhen përpjekje që të investohet dhe disa hapa janë bërë tashmë. Sipas tij, shtetet e vogla në përgjithësi kanë problem me sigurimin e një infrastrukture të gatshme për ngjarje të mëdha sportive, por shtoi se duhet të punohet bashkërisht që këto shtete të jenë organizatorë të ngjarjeve më të vogla sportive, qoftë gara rajonale, apo edhe ndërkombëtare por në sporte individuale, ku nuk kërkohet infrastrukturë e madhe.
“Pas takimit, ministrat nga vende të ndryshme kanë miratuar një deklaratë përmes së cilës theksojnë rolin si një katalizator për inovacione dhe investime. Përmes deklaratës, ministrat janë dakorduar që bashkëpunimi me sektorin privat në fushën e sportit, dhe akterë të tjerë është mjaftë i rëndësishëm për krijimin e një politike të drejtë për të bërë avancime në organizim sa më të mirë dhe në ecje në hap me zhvillimin e teknologjisë, dhe për të punuar për të mirën e njerëzve përmes sportit”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Ministri Krasniqi përveç kësaj ka takuar edhe homologë të tij, në margjina të samitit. Me ta ai ka diskutuar për nevojën për bashkëpunimin në fushën e sportit, dhe ka kërkuar nga ta mbështetje në ngritje të kapaciteteve në sport, shkëmbim të përvojave e ne veçanti përkrahje për ndërkombëtarizim. Ai i ka njoftuar ata me progresin në sport, me emrat e shumtë nga Kosova që po tregojnë suksese nëpër botë, si dëshmi për potencialin tonë. Një takim të veçantë ka pasur me Ministrin e Sportit të Rinisë të Katarit, Salah bin Ghanem bin Nasser Al Ali me të cilin janë pajtuar për të vazhduar komunikimet në mënyrë që një të ardhme të afërt të diskutohen dhe konkretizohen format e bashkëpunimit mes dy vendeve. /KP/Telegrafi/