Kreu i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, është solidarizuar me gjendjen shëndetësore me të cilën po përballet gazetari shumëvjeçar i televizionit publik të Kosovës, Sylejman Gashi.
Përmes një reagimi dërguar mediave, Krasniqi ka kërkuar që, meqenëse familja e ka të vështirë t’i përballojë shpenzimet për trajtimin dhe kurimin e tij, t’i dilet në ndihmë nga RTK-ja, por edhe nga Qeveria.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e Krasniqit:
“Sylejman Gashi, gazetari shumëvjeçar i RTK-së dhe raportuesi disavjeçar i saj nga Nju Jorku e Uashingtoni ka kohë që është në gjendje kome dhe zërin e tij nuk po e dëgjojmë në lajmet e mbrëmjes.
Familja e ka të vështirë që t’i përballoj shpenzimet e mëdha dhe në një situatë të tillë, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij për lajmet dhe raportet e shumta që na i solli nga SHBA-të për Kosovën, për raportet që i dha nga Amerika për delegacionet e shumta qeveritare, meriton një përkujdesje tjetër nga këto institucione.
Por përkujdesën kryesor e meriton nga Televizioni publik dhe një mbështetje më të fuqishme nga AGPK-ja, pasi nevoja për mbështetje e solidaritet shoqëror e njerëzor, mund t’i duhet secilit nga ne, në secilën ditë të vitit!
Në gjendjen shëndetësore në të cilën gjendet punëtori shumëvjeçar i RTK-së, më se paku ajo që duhet ta bënë kjo e fundit do të duhej të ishte, hapja e një llogarie rrjedhëse humanitare për të ndihmuar raportuesin nga SHBA-të, Sylejman Gashin. Nëse ketë nuk e bënë RTK-ja, atëherë llogarinë le ta hapë familja, ndërsa RTK-ja le ta bënte njoftimin e përditshëm!
Do të ishte krejt e natyrshme që në një rast të tillë, të kontribuonte edhe Qeveria e Kosovës, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e ka pasur përkrahjen e tij të përkushtuar!
Le të shpresojmë që ndihma solidare e gazetarëve, e qeverisë dhe e publikut tonë nuk do të mungoj! Ndërsa Sylejmanit i dëshirojmë përmirësim dhe kthim në jetë, në gjirin familjar dhe në punët e përditshme!
Solidariteti na duhet të gjithëve!”.