Telegrafi

Krasniqi kërkon ndihmë nga Franca për njohjen e Kosovës

Krasniqi me këtë rast, e ka vlerësuar mbështetjen e Francës për Kosovën, dhe sidomos njohjen e shpejtë të pavarësisë së shtetit tonë. Ai e ka çmuar kontributi e Asamblesë Nacionale të Francës, në kuadër të konzorciumit të katër parlamenteve që e kanë mbështetur Kuvendin e Kosovës. Ai ka theksuar forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve edhe nëpërmjet krijimit të grupeve të miqësisë.

Kreu i legjislativit të vendit, siç theksohet në një komunikatë të Zyrës për Informim të Kuvendit të Kosovës, është shprehur i bindur se shteti francez do të ndikojë në vendet e Unionit Afrikan për njohjen e shtetit të Kosovës.

Ambasadorja Borione e ka garantuar kryeparlamentarin Krasniqi se shteti francez është duke u angazhuar për njohjen e Kosovës nga sa më shumë vende. Ajo është shprehur e bindur se shumë shtete afrikane janë duke pritur që Kosovën ta njohë së pari Organizata e Unionit Afrikan, ndërsa më vonë të pasojnë njohjet nga shtete të veçanta.

“Kam ardhur të shpreh mbështetjen e Francës për Kosovën në njëvjetorin e pavarësisë së vendit tuaj”, ka thënë ambasadorja Borione, e cila është shprehur shumë e kënaqur që Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim për krijimin e Grupit të Miqësisë Kosovë-Francë.

Diplomatja franceze në vazhdim ka theksuar nevojën për thellimin bashkëpunimit ndërmjet Asamblesë Nacionale të Francës dhe Kuvendit të Kosovës, në funksion të konsolidimit të shtetit të pavarur të Kosovës dhe të thellimit të demokracisë. /Telegrafi/