Site icon Telegrafi

Krasniqi: Kemi rezerva shtetërore vetëm për tri ditë

Foto: Arkiv

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova ka rezerva shtetërore vetëm për tri ditë.

Krasniqi, si ish-ministër i Bujqësisë, thotë se i di mirë rezervat shtetërore dhe për këtë nuk qëndron se Kosova ka rezerva shtetërore për tre muaj.

“Grurë kemi vetëm edhe për dy muaj në mars dhe prill. S’dinë çka të tregojnë kurrëkush se çka do të bëhet nëse kemi krizë në maj e qershor. Se ka rezerva shtetërore për tre muaj është e pamundur, pasi as Bullgaria s’ka për tre muaj rezerva”, tha ai në Klan Kosova.

Krasniqi theksoi se edhe sikur të kishte rezerva nuk do të kishte vend për t’i ruajtur ato.

Lexo po ashtu Ndahen 10 milionë euro për rezervat shtetërore, përfshihen në Pakon e Ringjalljes Ekonomike

“Nuk ka shanse të ketë dhjetëra-mijëra tonë pasi s’kemi as ku t’i ruajmë ato rezerva edhe sikur t’i kishim”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti ka miratuar vendimin që rezervat shtetërore të përfshihen në Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Propozimi i dhënë nga Ministria e Financave do të përfshihet si pjesë e masës 3.8, derisa janë ndarë edhe 10 milionë euro për rezervat shtetërore.

Sasia e saktë, lloji i produktit dhe vendndodhja e mallrave në kuadër të rezervave shtetërore nuk dihet. Ato konsiderohen “sekret shtetëror” sipas Ligjit për rezervat shtetërore. Rezervat menaxhohen nga Departamenti i rezervave shtetërore në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Exit mobile version