Telegrafi

Krasniqi: Kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës për të shmangur zgjedhjet, tregojnë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj lajmit se Këshilli Drejtues i AAK-së në shumicë kanë kërkuar që kryetari i tyre Ramush Haradinaj të jetë president i Kosovës pasi ai aktual ta kryejë mandatin.

Sipas Krasniqit, çfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pas Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, thënë më së buti.

Gjithashtu, sipas tij, kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre.

“Çfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pas Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, thënë më së buti. Aq më shumë, nëse pjesë e këtyre planeve është edhe çështja e akuzave potenciale nga Dhomat e Specializuara”.

“Kërkesa e jonë për koalicionin qeverisës është që të merren më pak me fjalë e më shumë me punë, sepse deri tash s’kanë qenë në gjendje ta përmbushin as minimumin e përgjegjësive që i kanë marrë”.

“PDK ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe deri tash asgjë nuk ka ndryshuar”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Telegrafi/