Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka deklaruar se ka kryetarë të Komunave në veri të Kosovës, që frikësohen ta takojnë një ministër të Qeverisë së Kosovës.
“Isha në vizita vazhdimisht në veri të Kosovës, dhe nuk pata mundësi të takohem me kryetarët e komunave të cilët frikësohen ta takojnë një ministër të Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar ai
Ai në lidhje më këtë deklaratë ka shtuar se kjo është diçka që nuk duhet të mohohet, duke shtuar se ai i lajmëron gjithmonë më përpara se dëshiron të takohet me ta, por të njëjtit sipas tij i thonë se nuk janë në gjendje të takohen.
“Unë nuk shkoj asnjëherë pa lajmëruar edhe kryetarin që unë do të jem në veri për t’i lajmëruar por shpesh herë ata thërrasin në telefon dhe thonë që – unë jam shumë në gjendje të vij të ju takoj në zyrë në Prishtinë, por këtu e kam pak telashe të ju takoj”, ka thënë ai.
Krasniqi në RTV Dukagjini është pyetur se kush kanë qenë këta kryetarë që kanë hezituar të e takojnë, ai ka thënë se ka pasur raste të tilla, por nuk i kujtohet se cilat vizita.
Ndërsa, se pse kanë frikë kryetarët e Komunave Veriore ta takojnë, ai ka thënë se nuk ka të bëjë me mosbashkëpunimin sepse sipas tij, bashkëpunimi dhe mbështetja me ta ekziston, por nuk i shfrytëzojnë projektet.
“Bashkëpunimi është, edhe për mbështetje të projekteve të reja infrastrukturore për komunitetet të cilat këto komuna nuk po i shfrytëzojnë, pra komunat veriut”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka thënë se ka vizituar të gjitha komunat që janë në veri të Kosovës, jo vetëm këto me shumicë serbe por edhe të tjerat.
“Asnjëra nga qeveritë e kaluara nuk ka pasur presidencë të ministrave të Kosovës më shumë neveri sesa aktualisht edhe sesa në këtë qeveri dhe kjo është në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve qeveritare që janë të përditshme”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë se raporti i nivelit lokal dhe nivelit qendror është i specifikuar edhe me ligjin për qeverisje lokale, që sipas tij, do të thotë secili vendim që merret në kuadër të Kuvendeve të Komunave edhe nga kryetari dërgohet në Administrimin e Pushtetit Lokal për trajtimin të ligjshmërisë.