Telegrafi

Krasniqi: Heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari mishëron shpirtin e një kombi të etur për liri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me rastin e shënimit të përvjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kujtuar sakrificën e familjes Jashari.

“Me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Drenicës, fjalët qëndresë, sakrificë, guxim e krenari, morën kuptimin e vërtetë. Ato u përbashkuan në një vend, në një familje dhe në një mbiemër: familja Jashari!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai tutje ka thënë se heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari, mishëron shpirtin e një kombi të etur për liri.

“Secili anëtar i familjes Jashari, u bë fanar shprese në luftën e përgjakshme për çlirim. Nga baca Shaban e te nana Zahide, nga Hamza e te Blerina, nga Ademi e te Kushtrimi 13 vjeçar, pushka e të cilit shkrepi e fundit në atë betejë”.

“Për tri ditë, familja Jashari ktheu çdo gur të Prekazit në monumente të lavdisë që do të jetojë përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e secilit shqiptar deri në mbarim të kohës. Nderime përjetësisht!”, është shprehur Krasniqi. /Telegrafi/