Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar për rastin e helmimit të qindra qytetarëve në komunën e Deçanit.
Në një shkrim në Facebook, ka thënë se helmimi i qytetarëve të kësaj komune nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, por edhe çështje e sigurisë nacionale dhe kërkon mobilizim të gjithmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes.
Tutje tha se është i brengosur edhe për neglizhencën e Qeverisë qendrore, e cila me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune.
“Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt”, tha Krasniqi.
“Po ashtu, duhet ofruar gjithë ndihmën e nevojshme institucioneve lokale dhe siguri për të gjithë qytetarët e Deçanit, duke mos lënë hapësirë për panik”, tha më tej.
“Ftoj institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt”, u shpreh Krasniqi. /Telegrafi.